Disa të vërteta troç që duhen thënë! Nga Arian Galdini

Disa të vërteta troç që duhen thënë!

Nga Arian Galdini

Së pari, Ramiza Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin dy njerëzit e ligj që përveçse trashëguan pushtetin e diktaturës mizore të Enver Hoxhës, ia dolën edhe ta mbrojnë trashëgiminë e fuqisë dhe kontrollit të tyre edhe pas vitit 1990.
Kur Muri i Berlinit ra dhe e gjithë Bota e kuptoi se komunizmi nuk mbante dot më, sidomos në Europë, Ramizi me Nexhmijen nxituan të na përgatisnin ndryshimin e rregjimit duke mos ndryshuar dorën e kontrollit.
Fillimisht nëpërmjet bijve të komunistëve morën nën kontroll Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, e paskëtaj nëpërmjet Sigurimit, Bashkimeve Profesionale dhe vetë komunistëve, morën nën kontroll pluralizmin politik.
Dikur një mik i mençur më tha: A e di se përse PS është më metodike dhe më kompakte se PD? 
Sepse PS-në komunistët e mbajtën krejt për vete, ndërsa PD-e krijuan me Bashkimet Profesionale dhe komunistët arrivistë.

Së dyti, patëm një moment lirie gjithësesi, kur ra rregjimi komunist. 
Por pluralizmi i partive të bijëve dhe bijave të Ramizit dhe Nexhmijes, na e mori dhe ngushtoi derisa na e tjetërsoi gradualisht atë liri.

Së treti, Sigurimi i Shtetit, Kapterat apo Ish - Ushtarakët me Grada të Ulëta dhe Drejtoritë e Tregëtisë dhe Sekretarët e Rinisë, morën nën kontroll ekonominë, tregëtinë, financat dhe mediat e vendit.
Kryesisht dhe përgjithësisht, sipërmarrësit e suksesshëm të këtyre 30 viteve janë nga këto kategori.

Së katërti, kontigjenti kriminal i Policisë dhe Sigurimit, u shndërrua edhe në botën e re kriminale të pas 1990. Pjesa më e madhe e kriminelëve apo të fortëve dhe bandave që kemi patur e ende kemi në këto 30 vite janë nga ky kontigjent dhe nga ky burim kontrolli.

Prandaj kur shohim sot pas 30 vitesh këtë simbiozë mes Politikës, Oligarkëve, Mediave dhe Krimit të Organizuar, nuk kemi pse të habitemi. Janë bashkë sepse kanë të njëjtin burim kontrolli.

Së pesti, plani i tyre, qartazi është që për të ruajtur kontrollin, të mbeten gjithmonë 2 parti në lojë. E treta e lejuar është gjithësesi një parti që e kanë krijuar dinamikat e pazaret e reja të dala rrugës. Por nga ana tjetër, e kanë lejuar edhe sepse nëpërmjet të tretës, krijojnë shigjetën e balancës që herë kalon nga njëri krah e herë nga krahu tjetër. Nevoja e dy partive të mëdha për të tretën është edhe një nga mënyrat për ti shantazhuar dy partitë e mëdha kur tentojnë të lëvizin në rrjedha të pakontrolluara.

Së gjashti, sa herë shoqëria është lodhur nga 2 a 3 partitë e mëdha dhe pakënaqësia ka qenë e lartë deri në mundësi revolte, Ata, Shefat e Pluralizmit të Nexhmijes dhe Ramizit, apo siç i quajmë ne sot Klubi i Plaçkaxhinjve, ia kanë dalë mrekullisht të krijojnë vetë nisma qytetare apo parti të reja e lëvizje politike për të shfryrë e vrarë pabesisht pakënaqësinë popullore.
Në 30 vite kemi parë të krijohen PAD, PDR, MJAFT, G99, AKZ, Sfida e Bojaxhiut apo LIBRA e Blushit dhe së fundmi Nisma Thurrja si amalgamë investimi e Ilir Metës dhe Sorosit.
Të gjitha këto janë nisma qytetare apo projekte politike "in vitro", që i krijon vetë Sistemi, i krijon Klubi i Plaçkaxhinjve.

Pluralizmi i bijëve dhe bijave të Ramizit dhe Nexhmijes apo siç i quajmë ne Klubi i Plaçkaxhinjve, krijojnë vetë nisma të reja qytetare dhe politike sepse duan të ruajnë kontrollin.

Përndryshe, si do shpjegohej se sa here Klubi i Plaçkaxhinjve është në vështirësi, menjëherë sapo lind ndonjë përpjekje e dlirë dhe e pastër qytetare për të bërë një nismë qytetare apo projekt politik të ri, asnjë media nuk e sheh këtë.
Madje mediat e Klubit të Plaçkaxhinjve menjëherë sajojnë e bëjnë plan mediatik vetëm për "krijesat e reja in vitro" të lindura me porosi e grazhdim të bollshëm financiar nga Sistemi.

Si shpjegohet, që kur lindi MJAFTi asnjë media nuk shihte e nuk jepte asnjë hapësirë apo lajm për asnjë nismë tjetër qytetare, por vetëm për MJAFTin flisnin të gjitha mediat e shkruanin të gjithë analistët?

Si shpjegohet që e njëjta mënyrë u përdor edhe kur MJAFTi u bë G99?

G99 ishte në çdo media, në çdo analizë, madje edhe në sondazhe e fusnin përdhunshëm dhe e pomponin me rezultate të paimagjinueshme.

Si shpjegohet që po njëlloj u veprua me AKZ?

Krijuan AKZ me porosi dhe çdo media pomponte vetëm AKZ.

Pastaj me porosi nxorrën Gjergj Bojaxhiun.
I krijuan edhe një parti me emrin SFIDA.

E çdo media, analist e sondazh vetëm pomponte Bojaxhiun dhe SFIDËN.

Si shpjegohet që po njëlloj ndodhi edhe me LIBRAn e Ben Blushit?

Si shpjegohet që po njëlloj, krejt njëlloj pompohet Nisma Thurrja?

Në çdo media, analizë e madje edhe në Sondazhe të çuditshme përfshihet Nisma Thurrja?

Nisma Thurrja janë disa personazhe që janë përdorur nga MJAFTi dikur, nga AKZ dhe nga LSI, e është edhe aktori i përhershëm që ka 30 vjet që nuk bën gjë tjetër por veç reciton kudo e ngado Apologjinë e Sokratit.

E lodhi Mirushi, Sokratin. Dikur e recitonte për Partinë Republikane, pastaj për MJAFTin, pastaj për G99, pastaj për AKZ, e ku di unë për kë tjetër. Tani e reciton në sallat e Nismës Thurrja.

Shkurt dhe qartë, e vërteta është kjo:

Nën shembullin e Nexhmijes dhe Ramizit, këta të Klubit të Plaçkaxhinjve, krijojnë e pompojnë në media e grazhdojnë me shumë para, Nisma të reja qytetare dhe politike sepse duan të ruajnë e mbajnë kontrollin.
Sepse e dinë se psh, asnjë parti a nismë e krijuar, pompuar mediatikisht dhe grazhduar financiarisht nga vetë Klubi apo nga anëtarë të Klubit, nuk e rrezikon kurrësesi Klubin e Plaçkaxhinjve.

Sepse nëse psh, Nisma X, del në media e shkon sallë më sallë nëpër qytete me paratë e Klubit dhe i mbush sallat me furgonat me njerëz që ia çon Klubi, nuk ka sesi të bëhet alternativë rrezikuese ndaj Klubit. Shikoni pak, është rast i rrallë në botë, por banal e i rëndomtë tek ne, kur Nismës X që bën sikur shan Klubin, i bëjnë like pothuajse të gjithë partizanët dhe aktivistët e partive të Klubit... E pabesueshme dhe krejt e paimagjinueshme. Por ja që ndodh. Madje militantët dhe aktivistët e partive të Klubit e kanë shumë të qartë dhe e dinë kthjelltazi se mbushja e sallave të Nismës dhe bërja "like dhe share" nuk është fare në konflikt me partitë e tyre.

Është një megaindustri e rrejshmërisë që krijon dhe pompon këto Nisma sepse duan pak njerëz të vijojnë të ruajnë kontrollin.
Qëllimet janë të qarta:

Nisma të tilla të porositura nuk e dëmtojnë, madje e fuqizojnë dhe e rilegjitimojnë Sistemin e Klubit të Plaçkaxhinjve.

Nëse Klubi i Plaçkaxhinjve nuk ia hedh dot me Reformën në Drejtësi, NISMA kthehet në Thurrjen e vazhdimësisë në duar të sigurta dhe të kontrolluara 

Nëse Klubi i Plaçkaxhinjve ia del mban dhe e kalon me sukses testin e Reformës në Drejtësi, atëherë Nisma dështon, abortohet si Projekt i Ri politik, e kështu 2 apo 3 partitë e mëdha rikonfirmohen si të vetmet në fushë.

Ndërkohë Nisma, nën pompimin mediatik se ajo është E Reja që presin dhe duan shqiptarët për të çarë dhe thyer Sistemin, e kryen me zell misionin e saj shpërqëndrues. Shqiptarët e mirë dhe të dlirë duke parë në media vetëm Nismën, nuk kuptojnë, nuk dinë e as kërkojnë për nisma e lëvizje realisht dhe dlirësisht të reja.

Por ndjekin në mirëbesim Nismën duke menduar e besuar mediat se aty është E Reja që po shpresonin...

Roli shpërqëndrues i Nismës është si Thurrja e Gardhit të Sistemit të Klubit të Plaçkaxhinjve që qytetarët të mos mbështesin Projekt Gjenuine dhe të Ndershme të Reja.

Kështu Klubi i Plaçkaxhinjve ruan kontrollin e mbetet në Fuqi.

Së shtati, askush nuk ka pse të habitet e as pse të kërkojë moral nga politika e Klubit të Plaçkaxhinjve. 
Tryeza 4 Polare për Reformën Zgjedhore, nuk ka pse të habisë askënd.

Kur nuk ka qenë bashkë ata të 4 që u ulën me zulm të madh dje?

Bashkë kanë qenë, janë e do të jenë
Thjesht, Reforma në Drejtësi është i vetmi Aktor i fortë në qytet që Ata nuk e kontrollojnë.

Prandaj u duhej e gjithë kjo Trajektore konfliktesh laboratorike, molotovësh emocionalë, djegie mandatesh, investimi për krijimin e Heronjve të Rrejshëm si Rudina me Thurrjen, pikërisht sepse Klubi i Plaçkaxhinjve duhej të negocionte me Perëndimin apo shantazhonte Perëndimin me Thurrjen e re. 
Tryeza 4 Polare ka 2 rreziqe e kurthe të mëdha për Shqipërinë.
1. Nëse Perëndimi e pranon si fakt të mirëqenë 4 Polaritetin, pra të Vjetrën dhe të Renë (Rudina dhe Thurrja që janë 1) në Pakt, atëherë Shqipëria përfundon me 3 të Majta dhe PDnë e Djathtë skilipece e të paqartë. Potencialisht 4 të majta, sepse PD është shumë e paqartë.

2. Nëse Perëndimi nuk e legjitimon 4 Polaritetin e djeshëm, këta do krijojnë ZJARR dhe Flakë e hekur.

Arian Galdini

Tiranë më, 15 janar 2020