Lëvizja e Re përgjigje për Prendushin nga Shkodra! Nga Arian Galdini

Lëvizja e Re përgjigje për Prendushin nga Shkodra!

 

Nga Arian Galdini

 

 

Më shkruan Prendush Gjoni nga Shkodra:


"LRE parti koti.."

E pyes: 

Po pse është Parti koti? Apo më saktë, pa ma sqaro pak çfarë quan ti, parti ploti?


Prendushi: 
"Na lodhët me 200 parti. Parti me 1 individ, 1 Kryetar... Ju partitë e reja dhe të vogla asnji shans nuk e keni se jeni parti kot. Vetëm Partitë e mëdha marin vota."

Unë: 
Po. Ke të drejtë. 
Po si tia bëjmë që edhe PS është Parti e Kryetarit. Edhe PD. Edhe LSI. 
E kështu me rradhë. 

Kështu janë ndoshta të 200 partitë e Shqipërisë.

Por ma sqaro pak,  pse është Parti Plot një Parti e Madhe vetëm e Kryetarit,  e pse është Parti Kot, një parti e re apo e vogël ndoshta vetëm e Kryetarit?

Pyetja tjetër që kam për Prendushin e këdo është kjo:

E vërtetë është që na mbytën 200 parti, por si lind e reja e mirë që konkuron nëse nuk është Parti? 

Si?

Në zgjedhje nuk konkurohet me Kovaçanë as me Agjensi Turistike. 

Në zgjedhje konkurohet me Parti.

A ka 200 Kryetarë që i bëjnë Partitë sepse duan me i përdor si biznese private, si dyqane me vulë në xhep?

Poooo. 


Por mos harroni se Kryetarët me Biznesin më të Madh me vulë në xhep janë pikërisht Kryetarët e Partive të Mëdha.

Atëherë, meqë qenkan 200 batakcinj Kryetarë Partie të Madhe a të Vogël, çfarë duhet të bëjmë tani?

Nuk duhet me leju më askënd që të lindë një Parti të mirë, me qëllime të mira, me ide të mira dhe me njerëz të mirë?


Duhet tua presim këmbët që në nisje edhe të mirëve, ende pa lindur?

Dhe pyetja e fundit që kam unë për Prendushin e këdo tjetër është shumë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë:

Ore në këto 30 vite, Shqipërinë kush e ka plaçkitur, masakruar, vrarë, drobitur e zvenitur, ato 3 - 4 Parti të Mëdha Ploti që kanë pasur pushtet, apo ato 200 partitë e vogla apo të reja Koti, që nuk kanë pasur asgjë, asgjë, asgjë fare në dorë...

Kur Prendushi e secili prej nesh tu japë përgjigje të ndershme dhe të vërteta, këtyre pyetjeve të mia, atëherë, të gjithë do arrijmë të kuptojmë njëlloj se kush janë në të vërtetë Partitë Koti, e cilat janë Parti Ploti...

Partitë lindin nga idetë, jo nga Bandat.

Sigurisht që idetë filimisht janë në pak njerëz derisa të bëhen Shumicë dhe vizioni i një Kombi.

Parti Koti janë ato që nuk kanë ide por janë Banda Plaçkëbërësish...


Partitë e reja që kanë ide të mira, njerëz të mirë, qëllime të mira, mund të jenë gjithçka por vetëm parti koti nuk janë...

Në fakt, qytetarët që u rrinë besnikë Partive Banda me Plaçkëbërës, janë qytetarë koti.

E për ta përmbyllur e për tia hequr merakun të gjithë atyre që mendojnë si Prendushi, lexojeni me vëmendje këtë që po ju shkruaj e them:

Nëse na thoni që jemi kot, do dështojmë, që nuk marim vota, etj, etj, ju themi se e dimë.

Ne nuk po ju kërkojmë as vota, as para, as ndihmë e as mbështetje. 

Ju që i bashkoheni një partie se me atë parti fitohet diçka, shkoni tek 200 partitë me të cilat fitohet diçka.

Mos na e qani hallin neve.

Ne të LRE nuk kemi nevojë të na e qani hallin.

E dimë që jemi në shtegun e të pamundurës.

Jemi të bindur që do dështojmë.

E çfarë pastaj?

Juve çfarë halli keni?

Na qani hallin neve?

Ne e kemi ndarë mendjen që duam ti hyjmë këtij shtegu.

Jemi mendjendarë.

Humbja dhe dështimi janë tonat.

Ju çfarë keni? Çfarë po ju hyn juve në punë kjo gjë?

Ju që doni me fitu nga partia e doni parti me fitu, shkoni ore tek 200 partitë që jua ofrojnë këtë fitim.

Ne si LRE kemi ndërmend të bashkojmë mendjendarët që duan të ndërtojnë Komunitet, jo bandë.

Ne jemi mendjendarë për të ndërtuar Komunitetin e Parë Politik të Idealistëve që janë të gatshëm të japin gjithçka e sakrifikojnë, me bindje se do dështojmë dhe qëllimin ultimativ për tia dalë mbanë.

Kemi zero para, zero media, zero financime, zero logjistikë, zero përfitime, zero shanse për sukses.

E dimë që kemi zero shanse për sukses.

E kemi nisur këtë shteg e ngritjen e kësaj partie e këtij Komuniteti me këtë dijeni.

Kështu duam ta ngremë Komunitetin tonë, me këtë dijeni, se kemi zero shanse për sukses.
Po, kemi bindjen që do dështojmë dhe qëllimin ultimativ për tia dalë mbanë.

Duam zero vota.

Duam vetëm mendjendarë idealistë që i bashkohen këtin Komuniteti me bindjen për të dështuar dhe qëllimin për tia dalë mbanë.

Ju që doni parti ploti, pra ju që doni parti që fitojnë, mos na e qani hallin.

Ju shkoni tek ato parti nga të cilat fitoni.

Ne nuk jua qajmë hallin juve, e ju mos na e qani hallin neve.

Ne duam të dështojmë, por dështimi ynë do të jetë vetëm i yni.

Por një gjë jua them me siguri se as bashkimi ynë në këtë Komunitet, as dështimi ynë nuk kanë për ti bërë kurrë asnjë dëm askujt tjetër veç neve vetë.
Ndaj qetësohuni e mos na e qani hallin.

Nuk po ju kërkojmë as të na qani hallin, as para borxh, as këshilla, as vota, asgjë.

Ju që doni përfitim vazhdoni me 200 partitë me përfitim.

Ne të LRE jemi Komunitet që e dimë se do dështojmë por do bëjmë tonën për tia dalë mbanë.

Po dështuam ne, nuk do i vijë asnjë e keqe Shqipërisë nga ne.

Kaq.