Prej lirisë së shtypit tek Op Edi, GazetEri-a, AnaLulistat dhe Mon-deratorët e kështu me radhë...
Nga Arian Galdini
Është globale rënia e lirisë së shtypit.
Më shumë se liri shtypi, në ditët e sotme digjitale dhe të teknologjisë së lartë, ka tirani transparence.
Korporatat janë në qasje e përpjekje të suksesshme për të kapur qeverisjet edhe në vendet më të zhvilluara të demokracive perëndimore, e madje po ia dalin edhe të copëzojnë e tjetërsojnë edhe pothuajse pjesën më të madhe të instrumentave që e bëjnë demokracinë të tillë.
Që mes klientelizmit dhe lobizmit të mos ketë me dallim, e për rrjedhojë njerëzit ta kenë të paqartë se çfarë është ligjore, pra e lejueshme, e cka jo, Korporatat kanë marë në zotërim mediat dhe duke përdorur lirinë e shtypit, jo duke e ushtruar atë, krijojnë ciklone informative dhe analitike ku mbledhin gjithçka e nuk kthjellojnë asgjë.
Përdorimi i tillë i lirisë së shtypit çon në tiraninë e transparencës, dmth pafundësi lajmesh ku gjithkush thotë çfarë të dojë, secili të vërtetën sipas tij, që shkaktojnë tejngopje të qytetarit deri në kolapsim.
Kolapsimi i qytetarit nga mbi-informimi është pothuajse në të njëjtat vlera negative me mosinformimin që bënin Diktaturat.
Qytetari i mbi-informuar është po aq i painformuar sa qytetari të cilit i ndalohet informacioni.
Mund ta quajmë edhe të keqinformuar, por nuk është ashtu.
Kërkohet metodologji dhe përgatitje në një masë së paku modeste akademike, që në diktatin e mbi-informimit qytetari të zhvillojë shqisat dhe kapacitetet përzgjedhëse.
Në përzgjedhje, edhe mund të gabosh e kësisoj të quhesh i keqinformuar.
Ndërsa kur nuk përzgjedh dot, nuk je aspak i keqinformuar, je thjesht i painformuar.
Tek e fundit, edhe në Diktatura me mungesë informacioni, nuk është se qytetari nuk mer fare informacion.
Mer thjesht dhe vetëm informacionin që i ushqen Diktatura.
Pra nuk përzgjedh sepse nuk e lejojnë të përzgjedhë.
Ushtrimi i lirisë së shtypit çon në misionarizëm dhe përgjegjshmëri publike.
Ushtrimi i lirisë së shtypit është thelbësisht ushtrimi i një pushteti nga profesionistët e informimit ndër qytetarët, pra nga gazetarët, që të kërkojnë e shpallin me korrektësi e kurajo çdo të vërtetë.
Gazetaria është mision i madh, nuk është punë që ta jep Pronari as Partia e as Oligarkët.
Qytetarë si të gjithë ne janë edhe gazetarët.
E ngase kanë zgjedhur të bëhen profesionistë në pushtetin e informimit, ata janë qytetarët profesionistë që në emër të qytetarëve, për qytetarët të kërkojnë e shpallin të vërtetat.
Korporatat në botë, kanë shpikur linjën editoriale si e drejtë, në emër të lirisë së shtypit.
Kjo linja editoriale është përdorimi më i pisët që i bēhet lirisë së shtypit.
Me linjë editoriale, shuhet çdo vijë ndarëse mes klientelizmit dhe lobizmit, mes lajmit dhe shantazhit, mes së vërtetës dhe qokës, e kështu me rradhë.
Mund të thuash se je dogmatik, ideologjik, parimor në përzgjedhjen e linjës editoriale.
Por në fund të fundit, të gjithë kështu thonë.
Çka e ndan atë që deklarohesh me atë që je, e përcakton akti i ndodhur.
Ky debat sot është edhe në SHBA edhe në Europë, edhe në Britaninë e Madhe, veçse i sjellë në Shqipëri, druaj se biem në qesharakëzim të debatit.
Imagjinoni Donald Trumpin, Barck Obamen, Hillary Clintonin, Boris Johnson, Theresa May, Salvinin, Renzin, Angela Merkel, David Cameron, e kë të doni tjeter, madje edhe Silvio Berlusconin, që të rrinë çdo ditë nëpër kafe e dreka e darka, me pronarë mediash, me analistë e gazetarë, e të jargaviten apo gërditen me ta.
Imagjinoni cilindo nga liderët perëndimore që të vijë një çast e të zbrazen nga përgjegjshmëria publike, e gjithçka publike ta përdorin si joshje a kërcënim për pronarët e mediave, analistë e gazetarë.
Ka episode patjetër, sepse njerëzorë janë të gjithë, por nuk ma ha mendja se gjenden në Perëndim të tillë liderë e shtetarë si këta që kemi ne këtu, që lidhin e zgjidhin gojët, brekët e interesat me gjithëfarë njeriu që ka para e vota, qofshin këto të pastra a të fëlligështa.
Jemi aq vend i vogël, sa këtu ngatërrimi i këmbëve dhe mendjeve, nuk të jep kurrë pamje të qartë se të kujt janë këmbët dhe e kujt është mendja.
Këtu nuk kemi as klientelizëm e as lobizëm.
Këtu tek ne, kemi mirëfilli gangsterrizëm.
Ata që kanë pushtete publike qofshin këto pushtete shtetërore, politike, të drejtësisë apo medias, bëhen bashkë për të sunduar publikun, për ta plaçkitur publikun dhe për ta mbajtur të nënshtruar publikun.
Prandaj, kush na flet për Linja Editoriale këtu, le të na e kursejë këtë prapanicëtallje.
Këtu nuk ka Linjë Editoriale, ka Agjiprop
Këtu nuk ka Linjë Editoriale, ka Implikim.
Të gjithë rendin pas Implikimit apo Implikuesit të rradhës.
Prandaj është ditë e zezë për median kur nuk ekziston asnjë media e lirë në vend.
Kemi media të Ramës, Metës, Lulit, Saliut, Oligarkëve dhe Krimit të Organizuar.
Media të pavarura, jo në kuptimin e qëndrimit politik, por në kuptimin e vartësisë prej interesave personale të pronarëve të tyre, nuk kemi.
Pronarët e mediave këtu ca janë shokë të Ramës, ca të Lulit, ca të Saliut, ca të Metës, e ca të tjerë shokë të të gjithëve.
E kështu me radhë edhe drejtuesit e mediave, moderatorët, kryeredaktorët, analistët e gazetarët politikë zgjidhen për tu shërbyer shokëve të Pronarëve, pra Ramës, Lulit, Saliut, Metës, e të gjithë këtyre bashkë.
Tani ka fjalë që qarkullojnë se edhe krimi i organizuar po ble nga qelitë e burgjeve media a aksione në media.
Prandaj do kemi edhe redaktorët e analistët e tyre tani.
Edhe ato media që duken sikur rezistojnë si kinsekundërshtare të pushtetve, e kanë një gjobëvënës pronar që i përdor emisionet a gazetarët si kobure shantazhi për përfitime.
Megjithatë ditë edhe më e zezë është ajo kur mes gjithë Udhëheqësve, njëri ndër ta është ai që i mer të gjitha dhe copat e mediave që ua lë atyre të tjerëve janë si indulgjenca.
Nuk është gjë e vogël që Mbipushteti të kërkojë edhe mbingopje me informacion edhe mosinformacion.
Po ndodh. Tirania e transparencës dhe Tirania e mosinformimit, po përmblidhen vetëm në një dorë, në një pushtet, në një njeri.
Ky njeri e ka emrin Edi Rama.
Mos e merni për të lehtë këtë që po ndodh.
As mos e mendoni pa pasoja të mëdha.
Tashme në kontskestin shqiptar, mer tjetër kuptim, madje mer shumë kuptim shkurtimi i rubrikës Opinione dhe Editoriale në Op Ed.
Fatkeqësia është se indulgjencat e Ramës për të tjerët përreth, poshtë tij apo kundër tij po e kthejnë gazetarinë në gazetEri, analizën në anaLuliz dhe moderatorët në Mon-deratorë...
Dhe të gjithë bashkë këta po Thurrin...
Arian Galdini