Prindër faleminderit! Nga Arian Galdini

Prindër faleminderit!


Nga Arian Galdini

 

Përpiqem të gjej një shkas për të menduar se prindërit tanë na gënjyen, por nuk gjej dot.


Shoh përreth e nuk gjej prindër gënjeshtarë.

Gjej prindër të thyer, lënduar, zhgënjyer, rrëzuar, rrënuar, ndëshkuar, por jo prindër gënjeshtarë.

E pyes veten, po pse duhet ne të brezit të mbramë të kërkojmë fajtorë jashtë vetes sonë?

Pse duhet që fajin për gabimet, dështimet e devijancat tona, ti fshehim pas fajit të cilin ia bëjmë qyrk dikujt tjetër?

Nga vjen kjo kulturë?

Ku e ka burimin?

Ka 30 vite që dëgjojmë e shohim, ndjekim e besojmë Udhëheqësi politike të cilat na dëftojnë ngahera me gisht "fajtorin" e palës tjetër.

"Tjetri", "kundërshtari", i huaji, pala anash apo përballë, na është dëftuar parreshtur si "e keqja më e madhe", si "sjellësi i fatkeqësive" dhe shkaku i çdo problemi, halli e vështirësie që na ka pllakosur.

Ky "kënd psikosocial i qytetarit" apo siç mund ta quajmë si "cepin e fajësimit" pra mendësinë që e gjen gjithmonë arsyen e fatkeqësisë jashtë vetes, e kemi ndoshta edhe cepin tonë fatal.

Na duan pikërisht në këtë "cep të fajësimit", sepse kështu nuk mendojmë më por i biem shkurt, shprehim opinione, nuk reflektojmë më, por thjesht zëmë frëngji sharjeje e mllefi e i zëmë pusi kujtdo që mund të na kalojë nga shtigjet tona dhe i mëshojmë fort veç me ankime, mallkime e baltë.

Nga "cepi i fajësimit" nuk mësojmë kurrë të qëmtojmë veten e ti kërkojmë rrënjët e të këqijave dhe të mirave brenda nesh.

Qytetari sipërfaqësor që nuk ka më mendim për asgjë por opinion për gjithçka e gjithëkënd, është material bazë për Udhëheqësitë Politike, Oligarkinë dhe Krimin.

Pas 1990, nuk na lanë fare asnjë hapësirë e grimë kohe për të kuptuar përmasat e lirisë sonë.

Pluralizmi i Bijëve dhe Bijave të Ramizit dhe Nexhmijes na kapi për zverku e na ngjeshi tek cepi i fajësimit.

Njëri na thoshte Fajin e ka Saliu, tjetri na thoshte Fajin e ka Fatosi, e sipas rastit, vit pas viti e udhëheqës pas udhëheqësi, deri tek Edi Rama e Lulzim Basha.

Ndërruam role, emra, pozicione, dyshja u bë treshe e herë herë edhe katërshe, ama nga cepi i fajësimit nuk na lanë të dalim kurrë.

Të ndarë në cepa, sundohemi e plaçkitemi më lehtë.


Sidomos kur nga cepi ynë i fajësimit, zihemi e grihemi me këdo që na del përpara, nën moton se "hajduti i palës sonë" është më i mirë se "hajduti i palës tjetër.

Atëherë nga vjen kjo "kultura e fajësimit"?

Sipas meje i ka rrënjët thellë tek Enverizmi, Nexhmijeizmi dhe Ramizizmi.

Janë "pakicat e batakçinjve dhe plaçkaxhinjve" ato të cilat ndryshim vetëm në fletët e kalendarëve, ndërsa ikin vitet, e nuk lejojnë asnjë ndryshim tjetër.

Këto pakica na udhëhoqën nga 1944 deri në vitin 1990, duke na treguar me gisht "armikun e klasës".

Kaq thellë na e zhytën frikën nga "armiku i klasës", sa në çdo fis e familje gjeje edhe komunistin, edhe "armikun e klasës", edhe gojëmbyllurin.

Pas 1990, Nexhmija me Ramizin u kujdesën që ne "armikun e klasës" ta shohim tek partia tjetër.

Pluralizmi i Nexhmijes dhe Ramizit, na shndërrua në Pluralizëm të "Grupeve Rivale" brenda ish-Byrosë, Bashkimeve Profesionale dhe Frontit Demokratik.

U vunë emra Klaneve dhe na thanë se janë Parti Politike e se ne kemi fituar pluralizmin me dekret të Ramizit.

Zgjuarsisht, ia dolën të mbajnë nën kontroll mosndryshimin.

Lejuan ndryshimin e paketimit.

Kurrësesi nuk e lejuan ndryshimin epokave.

Pakica që udhëhoqi kriminalisht e mizorisht, për 50 vite dikraturë komuniste, zotëroi edhe 30 vitet e plaçkëbërjes postkomuniste.

Tu thuash prindërve sot, se na gënjyen, kur na thanë të bëhemi të ndershëm, punëtorë, të lexuar, të zotë, parimorë, është njëlloj si të thuash Rroftë Nexhmija e Rroftë Partia.

Vetëm Nexhmijen dhe Partinë e Partitë të mos fajësojmë, se prindërit edhe mund ti shpallim "armiq klase".

Cepi i fajësimit është kultura bazë komuniste dikur e soroiste dhe majtiste sot.

Ky dështim madhor i shoqërisë shqiptare, nuk paskërka ardhur nga "ligësia dhe fëlligështia" e pakicës nexhmijeiste, soroiste dhe kinsepluraliste, por sepse prindërit na paskërkan gënjyer.

E përse na paskërkan gënjyer prindërit?

Kur na kanë thënë të jemi të ndershëm, nuk na kanë ushqyer krahasimin me tjetrin por me veten.

Si i ndershëm gënjehesh e zhgënjehesh kur e mat veten me veten, jo me të tjerët.

Gënjimi dhe zhgënjimi nga matja me të tjerët nuk vjen nga ndershmëria por nga lakmia e zilia.

Pra nuk na kanë gënjyer prindërit.

Jemi ne që gënjejmë vetet tona nëse ndihemi të lënduar nga ndershmëria jonë, nga leximi, dija, vlerat, parimet.

Kujdes.

Një i ndershëm nuk matet kurrë me të tjerët dhe botën.

Një i ndershëm shembullzon.

Komunistët dhe soroistët, shoqëria nexhmijeiste dhe soroiste, ka kulturën se arsyeja jonë e mbivlen çdo arsye tjetër.

Komunizmi, Nexhmijeizmi dhe Soroizmi na fton në zhgënjim prej prindërve që me të mos marim përgjegjësitë tona.

A nuk janë 99% e prindërve tanë të ndershëm, fisnikë, të vuajtur dhe halleplotë?

Përse na paskërkan gënjyer prindërit, kur ata na kanë udhëhequr me shembullin e tyre e na kanë kërkuar e mëkuar me dashuri që të bëhemi më të mirë se ata?

Është Rregjimi që sillet si Prind dhe Partitë që kanë Udhëheqës që ndihen si Baballarë, ata që na kanë gënjyer, zaptuar e mbytur si shoqëri.

Prindërit tanë nuk kanë mundur dot të ngrenë krye kundër Rregjimit dhe Pluralizmit Nexhmijeist me Udhëheqësi si Baballarë.

Por kjo nuk i bën gënjeshtarë prindërit tanë.

Të pafuqishëm po, gënjeshtarë jo.

Tek e fundit, edhe ne do të dështojmë po ngritëm krye kundër prindërve teksa lëpijmë kinde "oligarkësh", soroistësh e  nexhmijeistësh.

Çështja është të ngremë krye kundër Rregjimit dhe Pluralizmit të Rrejshëm Nexhmijeist, jo të bëjmë sikur ngremë krye kundër prindërve e pastaj të shkojmë në darkë në shtëpi e tu themi nënës dhe babait tonë, se nuk e kishim me ata, por me prindërit e të tjerëve.

Sepse kjo quhet as më shumë e as më pak por Harmonia e Hipokrizisë.

 

Arian Galdini


Tiranë më, 2 janar 2020