Pse Lëvizja e Re është Ndryshe?
Nga Arian Galdini
Shumë e thjeshtë. Sepse nuk ka asnjë konvencion të Sistemit në ngjizjen, përbërjen, ligjërimin dhe veprimtarinë e saj.
Të gjithë miqtë e arrirë në jetë më këshillojnë: Duhen shumë para, shumë financime për të patur sukses me Parti në Shqipëri.
E unë të gjithëve u them: E di. E di, ndaj edhe nëse kjo do të ishte arsyeja e suksesit të LRE, unë nuk do të isha me LRE.
Po të jetë për sukses nëpërmjet parave e financimeve, atëherë nuk ka pse të ekzistojë LRE.
Parti me para dhe financime marramendëse, Shqipëria ka boll.
Nuk duhet një tjetër Parti e tillë.
Lëvizjane Re ka ide, njerëz të papërlyer, imagjinatë dhe aspirata.
Ose ia dalim mbanë kështu, pa para, pa financime, ama plot shpresë, ide, me njerëz të papërlyer, të panginjur me imagjinatë e aspirata, ose kurrë mos bëfshim hajër.
Miq të arrirë më këshillojnë e më thonë: Duhet shumë mbështetje mediatike.
Duhet të jeni prezentë dhe agresivë në media.
E unë të gjithëve u them.
Ne të LRE nuk kemi ngut.
Ecim me hapin e të vërtetave.
Të vërtetat kanë një proçes të ngadaltë sepse janë të hidhura dhe të vështira për tu përtypur, ama janë çliruese.
Ne nuk kemi ndërmend as të premtojmë, as të joshim, as të propagandojmë, as të mashtrojmë askënd.
Ne si fillim duam të jemi të vërtetë vetë e me veten tonë e njëri tjetrin.
Të vërtetë si Parti e qytetarëve të thjeshtë, të rregullt e të dobët.
Të vërtetë si Parti e të papërlyerve.
Të vërtetë si Parti që nuk ka as para, as financime e as media mbështetëse.
Kjo vërtetësi dëshmon se ne jemi krejt jashtë këtij Sistemi.
Dhe kjo është e rëndësishme.
Nuk ka objektiv më të rëndësishëm sesa të gjithë ta dinë e kuptojnë se ne jemi krejtësisht jashtë këtij Sistemi.
Nëse do të ishim pjesë e këtij Sistemi do të kishim shumë para, shumë financime e sigurisht edhe media mbështetëse e një listëporosi e plan mediatik pompimi.
Fakti që nuk kemi asnjërën nga këto, dëshmon se ne jemi krejt ndryshe nga të gjithë të tjerët.
Ka Parti që bëjnë njëherë lekët e pastaj flasin me njerëzit, që pastaj të fitojnë prapë vetë, që të bëjnë më shumë lekë.
Ne jemi Parti që kemi bërë Aspiratat, ndaj edhe po flasim me ata njerëz që kërkojnë Aspiratë, në mënyrë që të ndërtojmë së bashku më shumë Aspiratë.
Nuk kërkojmë audienca të mëdha.
Në kohë të tilla, audienca e aspiratëkërkuesve është e kufizuar.
E ne jemi duke lëvizur brenda këtyre kufijve krejt natyralisht, pa zhurmë e zulm.
Ne ecim me thjeshtësi, normalitet e natyralitet duke punuar me Aspiratëkërkuesit dhe duke kërkuar e duke u rritur dalëngadalë me Aspiratëkërkuesit.
Komumiteti LRE është Komunitet Aspiratëkërkuesish.
Pa u ankuar do të ecim e rritemi e komunikojmë me ato mjete që janë të hapura për Aspiratëkërkuesit.
Ndaj edhe jemi Ndryshe.
Sepse nuk po kërkojmë as suksesin, as pushtetin, as deputetin, as fitoren, as humbjen.
Ne po kërkojmë të konkurojmë dhe përballemi me Sistemin me aspirata si aspiratëndërtues.
Arian Galdini
LRE - Lëvizja e Re