Frika është vdekja e vogël!
Nga Arian Galdini
“Nuk duhet të kem frikë. Frika është vrasësja e mendjes. Frika është vdekja e vogël që sjell shkatërrimin e plotë. Do të përballem me frikën time. Do t’i lejoj asaj të kalojë mbi mua dhe përmes meje. Dhe kur të ketë kaluar, do të kthej syrin e brendshëm për të parë gjurmën e saj. Aty ku frika ka kaluar, nuk do të ketë mbetur asgjë. Vetëm unë do të jem aty.”
~ Frank Herbert, Duna
Në një botë ku shpesh fati i njeriut përcaktohet nga reagimi ndaj frikës, kjo lutje e Frank Herbert në romanin Duna është më shumë se një frazë e bukur, është një udhëzues shpirtëror, një ritual i brendshëm i rilindjes së vetvetes përmes përballjes.
Frika është një ndjenjë e vjetër sa vetë njeriu.
Ajo është mbijetesa jonë biologjike, alarmi i natyrës që na paralajmëron për rrezikun.
Por frika nuk është vetëm instinkt, ajo është gjithashtu armiku më i madh i ndërgjegjes, i lirisë, i thellësisë së qënies.
Martin Heidegger, në veprën e tij madhore “Qenia dhe Koha”, flet për frikën si për një gjendje ekzistenciale që na ndan nga autenticiteti.
Njeriu që jeton në frikë, nuk jeton më për veten, por për pasojat.
Ai humbet të tashmen, deformon të ardhmen dhe robërohet nga e kaluara.
Frika është vrasësja e mendjes, thotë Herbert, sepse mendja e frikësuar nuk gjykon më.
Ajo mbijeton.
Dhe kur njeriu jeton vetëm për të mbijetuar, ai nuk është më i lirë. Ai është një hije që endet në labirintin e pasigurisë.
Frika është “vdekja e vogël që sjell shkatërrimin e plotë”, një ide e fuqishme që na tregon se nuk ka nevojë për vdekje biologjike për të ndalur jetën.
Mjafton një frikë që s’kalon.
Një frikë që ngrin zemrën, mbyt dëshirën, fik guximin.
Seneka, filozofi stoik, shkruante: “Ne vuajmë më shumë në imagjinatë se në realitet.”
Dhe pikërisht kjo është frika: vdekja që jeton në mendje përpara se të ndodhë ndonjë gjë në realitet.
Është vetë-shkatërrimi që i paraprin çdo rreziku real.
“Do të përballem me frikën.”
Këtu fillon shërimi.
Këtu njeriu kalon nga pasiviteti në vetëdije. Nga viktima në subjekt. Nga hija në dritë.
Carl Jung e përshkruante këtë si procesin e integrimit të hijes: “Ajo që nuk përballemi brenda vetes, do të na ndodhë jashtë si fat.” Pra, përballja me frikën nuk është zgjedhje, është domosdoshmëri për të mos jetuar si të huaj në jetën tonë.
Përballja nuk është as dhunë, as arrogancë. Është heshtje e thellë, pranueshmëri, vështrim në sy të vetë errësirës.
Është kthetra që s’e përdor për të luftuar, por për të mbajtur veten në tokë gjatë stuhisë.
“Do të kthej syrin e brendshëm për të parë gjurmën e saj. Aty nuk do të ketë asgjë. Vetëm unë do të jem aty.”
Ky është çasti i rilindjes.
Kur ke kaluar përmes frikës dhe kupton se ajo s’ishte përbindëshi që mendove, por hija që vetë ke ushqyer.
Është ajo që Joseph Campbell quante “udhëtimi i heroit”, hyrja në errësirën e vetes për të gjetur thesarin e brendshëm.
Ai thesar nuk është një objekt.
Është vetë njeriu i çliruar nga frika.
Të mbijetosh është të harrosh frikën.
Të jetosh është ta përballësh atë.
Frank Herbert nuk na fton të bëhemi heronj të rrëmbyer nga lavdia.
Ai na fton të bëhemi qenie të vërteta, që e përballojnë frikën jo për ta shkatërruar, por për të kaluar përmes saj.
Sepse në anën tjetër të frikës nuk është thjesht paqja.
Është vetvetja.
Dhe kur frika të ketë kaluar, vetëm ti do të jesh aty. I plotë. I vërtetë. I lirë.