Një përgjigje siç e meriton, për Edi Ramën.
(Skuthokracia e zbërthyer në një Emision Televiziv!)
Nga Arian Galdini
Kam marë një vendim prej muajsh që të mos ndjek më asnjë emision televiziv në Televizionet Shqiptare.
Janë e njëjta menu agjipropi 3 dhëmbëzor, e mbajtur në këmbë, kontrolluar dhe grazhduar politikisht dhe financiarisht nga 3 zyra shtypi, nga PS, PD dhe LSI.
Pasi të mbysin çdo ditë me deklarata për shtyp, lajme me kamera, lajme me foto, lajme nga postimet në facebook, twitter dhe instagram, lajme nga lajmet se lajmet që janë dhënë janë lajme të lajmeve, e patjetër edhe me lajme nga analistët, me analistët për 3 zyrat, nuk ka asnjë arsye më të shpenzosh asnjë sekondë për ti rindjekur të gjitha këto të ripërmbledhura tek ORSO 360° (Opinion, Real Story, Open, 360 Gradë).
ORSO 360° është përbindëshi më i shëmtuar trushplarës dhe pengmarrës që bëhet shqiptarëve nga Kryetarokracia apo siç e quajmë ndryshe, nga Klubi i Plaçkaxhinjve.
Por sot rastësia krejt e çlirët dhe e pa plan e solli që diku nga mbrëmja vonë telekomanda të më mbetej tek ORSO 360° e Eni Vasilit ku po baballepsej Edi Rama.
E nisi baballepsjen mëngjesin e 26 nëntorit të tërmetit të tmerrshëm, e nuk po di më të kthehet në detyrën e tij si Kryeministër.
Madje edhe fati po luan me të sepse po e tundon të baballepset më tepër ndërsa ende pa dalë nga vala e parë e birësimit të kombit, i pllakosi edhe kjo kriza e dytë e Koronavirusit, e cila sikur ia ngeci në dorë letrat e adoptimit të shqiptarëve.
Dhe ky ngaqë ka 7 vjet që nuk di të bëjë Kryeministrin, u turr me vrap të veshë rrobën e re të Babës.
Është ky njeri që në 4 vitet e para të qeverisjes, nuk bëri kurrë Kryeministrin por BashkëKryetarin e Ilir Metës.
Kur u nda nga Ilir Meta dhe e fitoi tepsinë vetëm, shpiku Bashkëqeverisjen me Qytetarin.
E gjitha kjo i duhej që të mos bënte përsëri Kryeministrin, por të bëntë BashkëKryetarin e Qytetarit të Panjohur.
Është ky po i njëjti njeri që ndërsa Opozita në majin e 2017 ishte në Çadrën e Lirisë, ky teksa vinte nga Elbasani kërcënonte e turfullonte dhe kur mbërriti në Tryezën e Dialogut të thirrur asokohe në Kuvend nga Agron Duka dhe Fatmir Mediu, i nxorri jashtë gjithë të tjerët dhe u mbyll për orë të tëra vetëm për vetëm me Lulzim Bashën në një dhomë, për të pjellë të nesërmen 6 Ministra, ca Drejtorë dhe një fushatë elektorale teatrale.
Por duke qenë se loja e politikës shqiptare është diversifikuar, çdo pjellë e asaj nate u vra ditë pas dite nga aktorët e tjerë politikë që nuk ishin në atë dhomë.
E ja ku jemi pas 3 vjetësh nga lakuriqësia e një nate pasioni tek ngulçimi i netëve të gjata lakuriqësie gladiatorësh.
Opozita nuk është më as në Kuvend, as nëpër Bashki e askund.
Por sigurisht që si në Venedikun e mesjetës, Paria në dekadencë të plotë dhe e rrethuar me kurtizana, nuk e lejon "dashurinë" e vetëm dy njerëzve.
Klubi ynë i Udhëheqësve ose bën dashuri në grup, ose i detyrojnë dy njerëzit e kapur në flagrancë duke bërë dashuri, që të mohojnë njërin-tjetrin e madje të dalin në arenë a fushëbetejë për tu asgjësuar o të dy o së paku njëri prej tyre.
Nën këtë kontekst zënkat e së paku dy viteve të fundit mes Edi Ramës me Lulzim Bashën, janë një skuthëri spektakolare.
Ka 2 vjet, edhe në kohë qetësie, edhe në kohë molotovësh, edhe në kohë tërmeti, edhe në kohë pandemie të koronavirusit, që Edi Rama ose i shkruan letra e çon mesazhe dashurie Lulit ose e shan dhe zhdëp me batuta "çuni bordurash", por që në çdo kumt komunikon edhe me Anëtarët e tjerë të Klubit të Udhëheqësve që mezi pret dashurinë në grup ose luftën.
Ky i thotë Bashës shpesh se nuk është e nuk bëhet dot lider.
Ndoshta ka të drejtë.
Por edhe një lider që ka qejf edhe dashurinë në grup edhe dashurinë dyshe, nuk bëhet dot kurrë burrë shteti.
Lider Partie a Lider i Klubit të Plaçkaxhinjve edhe mund të bëhet, por burrë shteti as që e ka shansin të bëhet.
Mund të them edhe se Edi Rama nuk është Diktator, e as Tiran.
Nuk mundet.
E ka pamundësi karakteriale.
Edi Rama është skuthokrat.
Dhe skuthokratët janë dëm e rrezik serioz publik sepse i bëjnë të gjitha e nuk kanë as cipë, as turp, as burrni.
Më keq është bërë puna, që kur ky ka zbuluar binishin e ri të Nastradinit, të cilin e ushqen me Atësimin mbi Kombin.
Që kur i është shpallur ky horizont i ri i Babait të Kombit, është hedhur këmbë e krye në mveshjen e re, sepse nuk i duhet hiç të bëjë më Kryeministrin e as të gjejë një Bashkëkryetar për tu ndjerë i pushtetshëm.
I duhet vetëm të martohet me drama, trauma e fatkeqësi që pllakosin.
Sot në ORSO 360° të Eni Vasilit, përveçse skuthëroi si përherë duke përçmuar e telendisur Lulin, e dëgjova Edi Ramën të fliste edhe për "ata që japin mend nga penxherja e facebookut".
Ndoshta as e ka pasur fare me mua.
Ndoshta mua më është çmendur lopa, e po deliroj me veten time, duke hamendësuar se Edi Rama, në fakt këtë adresim e ka pasur për Këndin e Shpresës, pra me videomesazhin e përditshëm live që unë jap si Kryetar i LRE në faqen time të facebook.
Më lind e drejta të dyshoj, se penxherja e facebook për të cilën u sekëlldis të cingërritej Edi Rama, është pikërisht Këndi i Shpresës, sepse jam i vetmi Kryetar Partie të madhe apo të vogël, të vjetër apo të re, të rëndësishme apo të parëndësishme në Shqipëri që jam çdo ditë në orën 17.00, në komunikim live në facebook me Komunitetin e LRE - Lëvizja e Re, ngaku përcjellim mesazhe dhe shkëmbejmë ide.
Por edhe sikur të mos e ketë pasur me mua fare, u ndjeva i lënduar nga mënyra sesi ky njeri e trajton mendimin ndryshe dhe kritikën.
Këdoqoftë të ketë pasur në mendje ai, ne duhet tia themi të vërtetën se ai me gjumë apo pa gjumë qoftë, nuk është zgjedhur aty që ti bëjë vetëm dhe si di e do vetë këto punë.
Pagjumësia e tij, është detyrë për të sepse e kanë votuar dhe e paguajnë shqiptarët që për sa kohë është në Krye të Qeverisë, ai të mos vërë gjumë në sy që qytetarët të ndihen të sigurtë.
Kur ai bëhet agresiv pse Luli pasi del në TV dhe ne të tjerët pasi dalim në penxheren e facebook, flemë gjumë, nuk dëfton tjetër veçse të vërtetën se ai do të bëjë 24 orë Babën që nuk do tia lëshojë kujt telekomandën as të televizorit e as të facebook, askujt tjetër.
"A është gjak ky që kam në lepitkat e mia? - makthosej Makbethi gjumëhumbur pasi kishte vrarë Dunkanin e mirë...
Humbja e gjumit, nuk tregon gjithmonë shqetësime të shëndetshme, shpesh rrëfen epshe të rrezikshme.
Mos iu vërsul kaq ligësht, mendimit kritik apo mendimit kundër, z. Rama, sepse gjumi ynë, është detyra jote.
Pagjumësia jote është detyra jonë.
Ne të paguajmë me taksa, që ti të na mundësosh gjumin e vetë të mos mbyllësh sy.
Gjumi ynë pasi kemi kryer detyrat tona, na vjen i ëmbël edhe sepse i kemi ndërgjegjet e pastra, e nuk kemi asnjë gjurmë gjaku a plaçke në lepitkat tona.
Në të lodhshin netët pagjumë, e në të roitshin ata që mendojnë ndryshe a kundër nga ty, e ke zgjidhjen...
Po ta them haptazi se jam kategorikisht kundër logjikës zhaveriste të vendosjes së rendit, duke asgjësuar arbitrarisht shumë të drejta dhe liri kushtetuese të qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Qeveria jote me strategjinë e saj zhaveriste, duke theksuar mesazhin policor dhe represiv, e ka kthyer krizën e koronavirusit dhe atë të pasojave të rënda ekonomike, në një strategji Atndërtuese.
Zhaverizmi i mesazheve të tua Kryeministrore, po rend tu ravijëzojë qytetarëve shqiptarë imazhin e Babait që ka në dorë gjithçka, edhe jetën, edhe bukën, edhe dajakun, edhe sigurinë, edhe ndëshkimin.
Ti z.Rama, nuk ke pse të bësh babain e shoqërisë.
Duhet vetëm të bësh Kryeministrin.
Në mundsh.
Dhe Kryeministri komunikon me qytetarët e tij vetëm si çlirues energjish, jo si zotërues i gjithçkaje.
Jo si Vullneti Suprem e Garantori i gjithçkaje.
Mjafton të kërkosh nga Ministrat dhe Administrata jote, sikurse nuk ka pse të mos instalosh edhe një tryezë shkëmbimi të ideve dhe propozimeve edhe me Opozitën, Partitë Politike në vend dhe Universitete, Akademinë e Shkencave dhe ekspertë e aktivistë civilë, për të vjelë idetë dhe propozimet më të vlefshme prej kujtdo.
Kriza nuk ka nevojë për një Baba që edhe na rreh sepse na do, edhe na ushqen edhe na fton në sakrificë sepse ashtu e mendon ai të drejtë.
Shoqëria ka nevojë për një Kryeministër që mbledh dhe administron idetë dhe energjitë më të mira duke i përfshirë dhe konsideruar të gjithë.
Përdorimi i krizës për të akaparuar shoqërinë dhe poshtëruar opozitën, faktorët dhe aktorët opozitarë dhe mendimin kritik, është dëshmi e një axhende të rrezikshme dhe aspak demokratike.
Kjo nuk është as politikë e as burrështetësi.
Nëse je lider, mer përgjegjësitë e liderit dhe vepro, mos skuthëro.
Mjaft. Koha e skuthokratëve po mbaron.
Arian Galdini