Pluralizmi i Nexhmijes, Thurrja e Nexhmijes dhe Loja me Ndryshim Sistemi!
Nga Arian Galdini
Nuk do zgjatem shumë.
Sot pas 30 vitesh, nuk besoj se ka mbetur shqiptar pa e kuptuar se pas dhjetorit 1990, ne kemi patur një demokraci me porosi.
Me porosi, ia nisën studentët.
Me porosi u lejua pluralizmi.
Me porosi u krijuan Partitë e reja politike.
E pastaj me radhë, me porosi, pamë ish - Sigurimsat, ish - Sekretarët e Partisë, ish - Drejtorët e Tregëtisë dhe ish - Sekretarët e Rinisë, që të bëhen edhe sipërmarrësit e parë shqiptarë.
Pamë ish - kaptera, ish - ushtarakë të niveleve të ulëta që të bëhen pronarë e tregëtarë.
E kështu, dalëngadalë, ndërsa liria e fituar pas dhjetorit 1990 ishte realisht e bukur e frymëzuese, porositësit e kinsedemokracisë i kishin marë masat për ta mbytur edhe vetë lirinë.
Ja ku jemi pas 30 vitesh.
Nexhmije Hoxha është ende gjallë.
Ende ka gazetarë e media që ndjejnë interes e qëllimësi për ta intervistuar këllirën Hoxha, pa pikën e ndërgjegjes dhe përgjegjshmërisë se ajo është Demoni që rron si simbol i pamundësisë sonë kombëtare për tu çliruar prej të ligjve.
Jemi në janarin e 2020 dhe Nexhmije Hoxha ende mbush faqet e para të gazetave, portalet dhe debatin publik.
A duhet të ketë tregues tjetër kjo shoqëri për të kuptuar e reflektuar mbi të vërtetën e madhe dhe dëshpëruese se demokracia e pas 1990 ka qenë kinsedemokraci dhe partitë e derisotme kanë qenë dhe janë e vijojnë të krijohen ende me leje nga Nexhmija?
Partitë e mëdha, të majta e të djathta, drejtohen nga komunistë, ish - komunistë, apo të besuar komunistësh.
Akademia e Shkencave drejtohet nga Skenderi i Ramizit dhe ish - Sekretari i Ramizit.
Kuvendi drejtohet nga Gramozi i Ramizit dhe Nexhmijes.
Oligarkët dhe Pronarët e mediave janë ish - Sigurimsa, UDBista, ish - Kaptera, e delfinë të Ramizit dhe Nexhmijes.
Analistët, Moderatorët, gazetarët e mëdhenj, janë servituja e Ramizit dhe Nexhmijes, madje njëri prej tyre është drejtpërdrejt nipi i Hysniut dhe Vitos.
Në këto kushte, a mund ta sjellin apo thurrin këta ndryshimin?
Janë pothuajse në të njëjtën situatë me vitet 1989 - 1990.
Perëndimi, sidomos SHBA dhe BE, nëpërmjet Reformës në Drejtësi, po ua bën të qartë se koha e tyre ka mbaruar.
Përveçse janë bijtë dhe bijat e Ramizit dhe Nexhmijes, këta janë edhe Klubi i Plaçkaxhinjve, e kanë vjedhur e plaçkitur gjithçka në këtë vend këto 30 vite.
Reforma në Drejtësi po ua bën të kthjellët mendjen dhe mundësinë se Plaçkaxhinjtë do shkojnë në burg.
Por a dorëzohen lehtë, pluralistët nexhmijeistë dhe ramizistë?
A dorëzohen lehtë plaçkaxhinjtë miliarderë që kanë pasuri të pamata, të gjitha mediat dhe ushtri kriminelësh në terren?
Sigurisht që jo.
Njëra nga gjërat që ata po bëjnë është riporositja e demokracisë të pas - Reformës në Drejtësi.
Nexhmija po thurr.
Prandaj intervistohet Nexhmija.
Për të dëftuar se ka vijimësi e gjithçka është nën kontroll.
Nexhmija po thurr.
Kanë gjetur disa "djem", si ata të dhjetorit 1990, i kanë grazhduar me para, u kanë bërë gati planin mediatik, u kanë dhënë edhe nje aktor që ka 30 vite që e këputi në mes Monologun e Sokratit dhe po i shëtisin nëpër Shqipëri si thurrës.
Kanë krijuar një amalgamë të paimagjinueshme.
Njëri nga djemtë ka qenë Drejtor në Fondacionin Soros, ky thotë se e kanë gënjyer prindërit, por Sorosi kurrësesi nuk e ka gënjyer.
Nja dy të tjerë kanë qenë njëri ish - Drejtori i korruptuar e tjetri sekseri i ish - Drejtorit.
E kështu me radhë, ky grup po thurr me leje nga Sistemi e Nexhmija, nën moton: Të ndryshojmë Sistemin.
Më kujtohen komunistët që i kapi dhjetori 1990, të cilët brenda pak ditësh fill pas 8 dhjetorit, ia nisën të çirren: Vdekje Komunizmit.
Edhe këta Soroistët, Plaçkaxhinj e Nexhmijeistë, njëlloj si bijtë e koministëve në vitin 1990, nuk na thonë se Krimet i kanë bërë ata që na kanë Sunduar, por dalin e na thonë se fajin e kanë prindërit tanë që na paskërkan gënjyer.
Prandaj, o burra, të mbledhim firma nën moton: Të ndryshojmë Sistemin, ti themi dynjasë se fajin e kanë prindërit e kështu të thurrim Katovicën e Re apo demokracinë e re të porositur nga Nexhmija dhe Plaçkaxhinjtë e pas 1990.
Mediat i kanë Oligarkët e Nexhmijes dhe Plaçkaxhinjve të pas 1990.
Paratë ca i jep Sorosi, ca i kanë vjedhur vetë e ca ua japin Oligarkët dhe vetë plaçkaxhinjtë e pas 1990.
Sallat ua mbushin me furgona partitë e mëdha të pluralizmit të Nexhmijes.
U bashkangjiten edhe 2 deputetë të rinj por të çertifikuar nga Katovicarët e Vjetër dhe nis loja për Katovicën e re.
Dhe Nexhmija qesh me ne.
Nexhmija thurr akoma me këta ish - Drejtorët e korruptuar të LSI.
Sistemi nuk ndryshohet as me 50 mijë firma, as nga deputetët e çertifikuar të Nexhmijes, as nga thurrjet e reja të Katovicës së vjetër.
Sistemi Elektoral nuk ndryshon asgjë.
Një Reformë e thellë, parimore, vlerore, qëllim-mbarë Zgjedhore, edhe mund të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por Sistemi Nexhmijeist, Soroist dhe Plaçkëbërës, nuk ndryshohet me vota e as me zgjedhje.
Ky Sistem ndryshohet me Kryengritje.
Kryengritja nuk bëhet as me molotovë, e as me dhunë.
Kryengritja e vërtetë bëhet me Dinjitet.
Dinjiteti fillon kur i dalim më së pari zot vetes.
Pyetja është: A do thurrim apo do ti dalim zot vetes?
Kush thurr, bën rrjetën e re të Nexhmijes.
Kush i del zot vetes, i del zot edhe vendit.
Arian Galdini