Satirë: Manual fushate elektorale për qytetarët shqiptarë! Nga Arian Galdini

Manual fushate elektorale për qytetarët shqiptarë!

Nga Arian Galdini

I dashur qytetar shqiptar,

Ti nuk e do veten. 

Ti do stomakun. 

Prandaj edhe nuk ke pse vë në punë muskujt e sipërm për të gjetur vetveten në një fushatë elektorale.

Nuk po them se je fajtor për këtë dashuri fundore që ke për stomakun, sepse kanë qenë ata që ke pasur mbi krye që të kanë varfëruar, telendisur, poshtëruar, plaçkitur, robëruar.

Thjesht po them se ky është fakti mbi të cilin të gjithë ne që flasim me ty, duhet të merremi e mbi të cilin duhet të reflektojmë.

Kush ta mbush stomakun është mbreti yt, sovrani yt, zoti yt. 

Kush ta shan mbretin, të ka rrezikuar stomakun. 

Sa më e madhe të jetë besnikëria jote ndaj mbretit që të mbush stomakun, aq më të mëdha janë shanset që ti të hysh në rrathët e lartë të stomakmbushurve, e ndoshta një ditë të bëhesh edhe ti stomakmbushës e mbret i të tjerëve... 

Rrathët e hierarkisë së stomakut, janë rrathë luftarakë, epikë, bazikë. 

Shpesh kur lufta e stomakëve bëhet e ashpër, ndodh që rrathët edhe të kryqëzohen, përputhen, mbivendosen.

Ti nuk ke pse mendon për këto çështje. 

Po vure në punë muskujt mbi stomak, rrezikon të dalësh fare nga kategoria e stomakëve për tu mbushur, e kurrë nuk do kesh shansin të jesh një stomakmbushur.

Kur mbreti bën luftë, ushtria e stomakëve të mbretit nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rreshtohet e bëjë luftë kundër ushtrisë tjetër të një tjetër mbreti stomakësh.

Kur mbretërit ndërluftues, bëjnë dashuri, ushtritë e stomakëve duhet vetëm të shijojnë çfarë u shpërndahet nga mirësia e dashurisë së mbretërve.

Kushdo që guxon të flasë, mendojë, arsyetojë mbi këto çështje kaq thelbësore sa janë çështjet e stomakut dhe vendimet e mbretërve, pa asnjë mëdyshje është armik i rrezikshëm i të gjithë stomakëve.

Prandaj, ti mos dëgjo ata që mendojnë. 

As mua mos më lexo as mos më dëgjo. 

Sepse unë i kam thënë lamtumirë stomakut dhe hierarkisë së stomakëve. 

Jam jashtë sistemit të stomakëve. 

Nga unë e njerëz si unë, nuk del gjë. 

Unë dhe njerëz si unë jemi hiçër në shoqërinë e stomakëve. 

Dëgjo vetëm kërcitjen e zorrëve kur stomaku është bosh.

Kush të flet për dinjitetin tënd, lirinë tënde, vlerën tënde e për zgjedhje të lira e të ndershme, ta dish se është armik i stomakut tënd ose ka gjetur shkakun e luftës për ta mbushur stomakun tënd.

Me rrezik të lartë është kjo punë sepse të dyja gjasat janë aty.

Në shoqërinë e stomakzbrazurve, nuk ekzistojnë as dinjiteti, as liria, as vlera e as zgjedhjet e lira dhe të ndershme. 

Dinjiteti, Liria dhe ndershmëria të lënë pa bukë, pa çmim vote, pa ushtri stomakmbushësish, pa hierarki, pa tendera dhe elita stomakësh.

Për ty ka rëndësi që mbretërit të bien dakort të bëjnë luftë ose dashuri. 

Në të dyja rastet, sistemi i stomakëve edhe kur duket se po vjen fundbota, punojnë e fuqizohen mrekullisht.

Nuk të vjen e keqja as nga lufta e as nga dashuria e mbretërve të stomakëve. 

E keqja të vjen vetëm nga ata si unë që të bëjnë thirrje të ndërrosh sistem, e të lësh pas stomakun dhe të ngjitesh në lartësitë e zemrës dhe mendjes. 

Këta si puna ime, janë përbindëshat e vërtetë, këta janë delirantë, të sëmurë, të ligj, të paparanueshëm. 

Këta si unë janë UFO, janë rrezik publik, janë njerëz kot. 

Shpërfilli këta si unë që i përkasin sistemit të zemrës dhe mendjes. 

Poshtëroji, asgjësoji. 

Asnjëri prej tyre nuk të hyn në punë. 

Ti qytetar i dashur shqiptar, dëgjo vetëm mbretërit e stomakëve dhe analistët e mbretërve të stomakëve. 

Bëhu stomakndritur.

Dëgjo, mëso dhe përtyp vetëm ushqimin e mbretërve të stomakëve dhe të analistëve të tyre. 

Në oborrin e mbretërve të stomakëve, analistët janë hierarkët më të çmuar, sepse janë dysistemsha. 

Ata vijnë si bashibozukë nga sistemi i mendjes dhe i shërbejnë sistemit të stomakëve verbërisht. 

Ata janë judat 30 aspriste që u shërbejnë plot zell Pilatëve të stomakëve.

Ti qytetar shqiptar, nuk i voton dot analistët. 

Veç bëj kujdes, sepse analistët janë më të afërt për mbretin e stomakëve sesa edhe vetë ofiqarët që ti voton si përfaqësues të mbretit.

Ndriçoje stomakun tënd me mendimet e analistëve të përnatshëm e kudondodhur, e jepi frymëzim stomakut nga fjalimet e mbretit.

Ky është këndi i mbijetesës tënde.

Nëse unë të flas nga Këndi i Shpresës, këta të thërrasin në këndin e mbijetesës.

Aty të duan ata, tek këndi i mbijetesës.

Mos dil nga ky kënd. 

Po e bëre gabimin që të dalësh nga ky kënd, do të dënohesh me 4 vjet kërrcitje zorrësh.

Shko në çdo miting, takim a numërim elektoral. 

Shko masivisht në votime.

Mos ndje, mos mendo. 

Ndriço dhe frymëzo veç stomakun.

Vetëm kështu do kesh çmimin tënd dhe thërrimet e tua për 4 vitet e ardhshme.

Ti nuk do që të jesh i lirë dhe me dinjitet. 

Liria dhe dinjiteti nuk janë kategori e sistemit të stomakëve. 

Ti do që të jesh stomakmbushur.

Ky manual të mban në sistem. 

Kërkesa të çuditshme si liria, demokracia, dinjiteti njerëzor, etj, etj të kësollojshme as mos i dëgjo fare.

Dëgjo vetëm analistët dhe fjalimet e mbretit.

Vetëm kështu mund tia dalësh.

Me shumë dashuri për ty,

Arian Galdini